Intervistoi: Selajdin Gashi
Arsim Kajtazi është emër i njohur i artit shqiptar. Shkrimtar, gazetar e piktor, të gjitha këto profesione i ka bërë me përkushtim e profesionalizëm.
Ai në një intervistë për Portali Shqip.de flet për jetën e tij, familjen, për punën si gazetar, shkrimtar e piktor, si dhe synimet që ka në të ardhmen.
Portali Shqip: Nga e ka prejardhjen piktori, shkrimtari e gazetari Arsim Kajtazi?
Arsim Kajtazi: Jam i lindur në Vitak të Drenicës dhe derisa më pyesni për prejardhjen atëherë gjithsesi se për këtë meritor janë prindërit e mi që e kanë dashur e çmuar shumë jetën dhe njeri- tjetrin, sa të krijojnë një familje të madhe dhe të mbarë ( jemi 8 fëmijë, 3 motra dhe 5 vëllezër) !… Edhe nëna Razë dhe babai Halil Kajtazi kanë pleksur në vete vlera për artin dhe kulturën, letërsinë që do të jenë bartur edhe tek unë. dhe fëmijët e tjerë Nëna ishte amvise, por shumë punëtore dhe kishte prirje për të bërë vegje, thurur e qëndisur!… Mbaj si kujtim të çmuar duqit që nëna i kishte sjellë si pajë nusërie ku ajo kishte derdhur talentin e saj për artin aplikativ ta quajmë tapiceri, ku unë u njoha për herë të parë me harmoninë e ngjyrave, figuracionin abstrakt e simbolik …! Aq bukur dhe aq harmonike janë ngjyrat e përdorura në duq ku gërshetohen elementet më sublime të artit popullor të trevës së Drenicës dhe format e abstraguara të figurave tipike shqiptare, sidomos figurat simbolike të shqiponjës, kryqit, etj… Për kohën e saj ajo ishte kreatore dizajni e mode!… Pra, do të thosha se prirja ime për artin do të zë fill në duart e arta të nënës, ndërsa nga babai, prirjen për të shkruar. Kisha nisur klasën e parë me gjashtë vjet e gjysmë, në vendlindje, por meqë isha i vogël me shtat, nuk më pranuan se me thanë nuk do mundem ta bartë as janxhikun, ( nuk kisha pasur çantë në ditën e parë të shkollës!) Ndoshta duhet shkuar edhe me larg, prirjen për shkrimin do ta kërkoja në rrënjët e rrëfimeve të përrallave e tregimeve nga gjyshet e mia nga babai dhe nëna! Zakonisht tregimi i përrallave bëhej para gjumit, në errësirën e dhomës së mbush plot frymë njerëzish, dhe duket ato vazhdonin të shtjelloheshin edhe në ëndrrat e bujshme e të larmishme fëmijërore. Pra, në përralla dhe ëndrra ishin burimi kryesor imagjinativ dhe kreativ për artin… Kujtoj edhe gjyshin Veli që kishte pasur dëshirë të flejë me të dhe nuk e harroj kurrë posaçërisht momentin kur në shtratin ku kisha rënë, përmbi të, nga kulmi që ende nuk ishte mbuluar me tjegulla, por në vend të tyre kishin vënë duaj talle, nga qielli, përbironin fjollat e borës dhe ato u mundoja t´i kapja me gojën hapur, të cilat sapo më preknin buzët ose fytyrën ato shkriheshin!… Kam shumë kujtime nga fëmijëria ime në Vitak dhe ato kanë zënë vend në shumë shkrime të mia në prozë e në poezi…Pastaj jeta ime vazhdon në Prishtinë, ku na solli babai më 1963 , duke ndërtuar shtëpi në Prishtinë nga puna disavjeçare në arsim si arsimtar i gjuhës shqipe në shkolla të ndryshme në Drenicë dhe në Dukagjin…. “Sheherlitë” e Prishtinës atëbotë na këndonin kur na shihnin udhës “Katundarë, për një dinarë, bjen në bunar!….” Pra shkollimin e fillova në Prishtinë, ku kam kryer filloren, gjimnazin dhe studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe….
Portali Shqip: Kur keni filluar punën tuaj në media?
Arsim Kajtazi: Në familje, me vëllezërit kishim krijuar një konkurrencë se kush po lexonte më shumë dhe kush po shkruante më mirë vjersha!… Para meje kishin nisur vëllai i madh Xhaviti dhe i treti Fitimi! … Unë kisha dy konkurrentë të fortë!… dhe u futa edhe në botën e shkrimit, edhe pse kisha marrë kritika që më dukej se më përçmonin, sepse unë doja të mendoja e shkruaja më ndryshe, jo për qenin e dacin por për enigmën e jetës dhe vdekjes: “Makinën njeriu ndërton, makina njeriun shkatërron!”, për këto vargje që kisha shkruar, duke bërë shaka me mua, më kishin bërë të qaja!… Tash po me qeshet me atë situatë. Më parë i recitoja apo folja atë që e shkruaja më pastaj e rrahja në makinën e shkrimit. Mbyllesha në një dhomë dhe me orë flisja e shkruaja vetë më vete, por meqë shkruaja, sa gëzohesha kur shihja sa faqe kisha shkruar dhe më dukej çudi nga më vinin gjithë ato mendime!?… Nuk do të me kenë marrë për të luajtur mëndësh!… Pra, me shkrime letrare kam filluar të merrem që nga klasa 8, ndërsa më dendur kur isha gjimnazist!
Pas kryerjes së studimeve, nisa punën si gazetar në revistën “Zëri i rinisë”, pastaj “Zëri” ku kam përcjell fushën e kulturës, arsimit, artin, letërsinë, muzikën… Pas vitit 1981, nuk ishte lehtë të punoje në media, posaçërisht ato të shkruara. Ishte gazeta e përditshme “Rilindja” dhe “Zëri i rinisë” që kishin barrën kryesore në Kosovë për informimin publik. Ato përcilleshin më vëmendje edhe nga censura (pushteti), por edhe nga lexuesi i vëmendshëm, që ishte torturuar nga zhurma e politikës moniste ditore që atëbotë ishte drejtuar për të luftuar gjoja nacionalizmin e irredentizmin shqiptar, ndërsa në të vërtetë po ngushtohej hapësira e lirisë dhe mirëqenies kombëtare e kulturore shqiptare, dhe rubrikat e kulturës ishin të vetmet faqe që e ushqenin opinionin dhe e mbanin gjallë shpirtin rezistent shqiptar, duke ofruar vlera edhe kulturore edhe kombëtare, për aq sa ishin mundësitë e kohës! Madje sakrificat krijuese shkonin përtej mundësive që ofroheshin. Kultura mbajti gjallë frymën e rezistencës dhe ekzistencës!… Me “Zërin” kam qenë i lidhur deri më vitin 1993, kur u dëbuam nga Pallati i shtypit nga pushteti represiv serbo-jugosllav, kur pastaj për edhe shkaqe ekzistenciale dhe shëndetësore jam detyruar të emigroj në Gjermani!…
Portali Shqip: Jeni më shumë shkrimtar, gazetar, apo piktor?
Arsim Kajtazi: Janë këto fusha me të cilat jam marrë dhe punën që kam bërë jam munduar ta bëjë me përkushtim dhe ambicie, që ta bëj si di unë më së miri. Nga dëshira që të bëhem shkrimtar kam studiuar letërsinë dhe ajo bëri që entuziazmin e vullnetin e madh që të shkruaja, me kohë ta racionalizoja më shumë!… Bile gjatë kohës së studimeve kam shkruar më rrallë, ishte koha kur isha gjimnazist, kur kisha shumë vullnet të shkruaja dhe në këtë periudhë kisha botuar disa tregime dhe kisha shkruar një novelë “Fytyrat me të zeza se nata”, përmbledhjen me poezi “Pesha e gurit” dhe romanin “Kodra e diellit”(viti 1974) , që shumë vite më vonë (1990) ishte gërshetuar e futur disi në copëza në romanin “Shakullina”, botuar në Redaksinë e Botimeve Rilindja me një tirazh prej 5000 ekzemplarësh!, që ishte rast i rrallë për një shkrimtar të ri!… Me kishte hyrë në kokë një thënie se kur merresh me letërsinë është mirë të mos merresh gjatë me gazetarinë, sepse ekziston rreziku që ajo të përvidhet në letërsinë, dhe ajo pastaj mbetet më shumë gazetari se letërsi! Pra, racionaliteti krijues që mu shfaq për shkrimin, pas studimeve, bëri që fjalën e shkruar ta peshoj e kuptoj më mirë dhe më thellë, ta përdor më me ndjeshmëri, që ajo të tingëllojë bukur si letërsi, si art, e më pak si deklarativzëm gazetaresk!… Me gazetarinë më është dashur të merresha sepse duhej jetuar e mbajtur familje me shkrimin, por edhe atë e kam bërë me përkushtim, sidomos besoj se edhe sot janë me peshe intervistat e shumta që kam bërë me artistë, piktorë, shkrimtarë, muzicientë, vështrimet të ndryshme për fenomenet e kulturës e arsimit të kohës, vështrime për artin, letërsinë etj. Nëse do ta rrumbullakosja këtë përvojë me kënaqësi do të bëja një libër me këto intervista dhe vështrime për artin, për të dhënë të kuptohet se edhe puna ime prej gazetari me ambicie për ta bërë shkrimtarin ka një vlerë, ngase u përpoqa që në gazetari ta fus më shumë shkrimtarin e studiuesin !… Piktori u rrit në mua që nga fëmijëria ime, isha shumë i dhënë pas artit në klasën 7 dhe 8, deri kah viti i dytë gjimnaz…. Në fund të klasës 7 kam organizuar në shkollën time, atëbotë “Vlladimir Nazor” (Naim Frashëri) në Prishtinë ekspozitën time të parë personale me diku rreth 200 piktura, që ka lënë shumë mbresa dhe vragë në jetën time!… Atë kohë kishte shkruar gazeta “Pionieri” dhe gazeta “Rilindja” në faqet e saj për fëmijë!… Ishte Rifat Latifi që kishte shkruar për mua dhe kishte kapur talentin tim për pikturën dhe letërsinë, është pra tash dr. Rifat Latifi, mjek e profesor i njohur që ka bërë emër në mjekësinë botërore, dhe kur e kujtoj këtë e ndjej vetën shumë mirë, edhe pse hëpërhë nuk kam arritur në art suksesin që ai ka arritur në fushën e mjekësisë! Por, sot doktor Rifati ka një koleksion të mirë të veprave të mia më të reja, dhe kjo tregon se ai edhe sot e çmon veprën time edhe më shumë se në kohën kur unë isha fëmijë, e ai një i ri më ambicie të forta për t´u shkolluar me mundin e tij me shkrimin, tek sa po kryente shkollën e mesme të mjekësisë!… Prirja e tij për të shkruar, që u kultivua në gjirin e familjes sonë, bëri që ai sot të radhis vepra e vepra nga fusha e mjekësisë dhe atë në gjuhën angleze në Amerikë!…Por, në këto tre dekadat e fundit unë më shumë e kam derdhur talentin tim në pikturë e me rrallë në shkrimin letrar e shumë rrallë në gazetari! Pra, doja të bëhesha piktor, sepse ashtu ndodhi që për shkaqe atëherë ekonomike nuk kisha shkuar drejt në shkollën e artit në Pejë, e as për të studiuar artin në Akademinë e Artit në Prishtinë apo gjetiu!… Rikthimi të arti ndodhi në kohën kur punoja gazetar dhe kur unë kontaktova më shumë artistë e profesorë të Akademisë së Artit, në bisedat e intervistat që bëja me ta dhe kur unë në këtë mënyrë po hyja në botën e tyre të artit me ambicien time që nga fëmijëria që të bëhesha edhe vet artist, piktor, dhe kjo i zgjeroj njohuritë e mia për artistin dhe artin!… Piktori ynë i njohur, tashmë i ndjerë Gjelosh Gjokaj, kur unë emigrova në Gjermani dhe kur i tregova disa nga punët e mia që kisha marrë me vete në një çantë të madhe, dhe kur i shpreha dëshirën dhe mendimin se nëse rri më gjatë në Gjermani do të dëshiroja të shkoja në Akademi, ta realizoja dëshirën time fëmijërore, më tha: “Arsim për mendimin time ti e paske kryer Akademinë! Vetëm vazhdo të pikturosh kështu si po të shoh!…” Kjo më trimëroi shumë dhe mu duk ma bëri më të lehtë punën që të vazhdoja të merresha me pikturën, dhe unë që në vitin e pare të qëndrimit në Gjermani kisha organizuar 4 ekspozita personale!… Kjo më motivoi e trimëroi shumë!… Dhe në këtë kohë herë-herë i kthehesha edhe shkrimit, por shumë rrallë!… Shkrova dhe e botova librin me poezi “Klithmë paqësore”, “Duke krijuar vetveten”, që doli nga shtypi në ditën kur NATO nisi të bombardonte caqet e ushtrisë serbe. dhe së fundi romanin ” Nëntë lëkurët e gjarprit”. Edhe romani “Të vdekurit vallëzojnë”, u botua kur unë erdha në Gjermani!…
Me dëshirë do ta bëja komplete edhe veprën time letrare, dhe kjo mbetet një nga punët e mia të radhës, por me duhet për një kohë ta lë të pushoj Arsimin piktor, që ti përkushtohem plotësisht kësaj pune! E shoh se kështu u hy në hak edhe gazetarit, edhe shkrimtarit, edhe piktorit, edhe studiuesit!… Më ndodhen ne jetë ca momente tragjike dhe dramatike, por deri më sot i kam përballuar, përballova edhe krizat e mia të renda edhe ekonomike edhe shëndetësore dhe ja sot jam mirë këmbëkryq midis Evropës, me një këmbë në Kosovë e me një në Gjermani, duke bërë jetën e artistit e shkrimtarit!…. Unë bëra përpjekjet edhe të studiuesit të letërsisë dhe finalizova një punim të magjistraturës me një temë interesante: “Receptimi i veprës së Kadaresë në domenin gjermanofon”, por duke u marrë me të e humba një pune gati të finalizuar në prozë, një roman të ri, që e kisha nëpër duar, i cili për shkaqe të gabimeve teknike mu tret nga kompjuteri!… As një kopje nuk e kish nxjerr në letër nga kompjuteri!… Është ai dimensioni tragjik i përsëritur nga fëmijëria: edhe ekspozita ime e parë si nxënës i klasës së shtatë ishte zhdukur e tëra në hedhurinat e bëra nga njerëz të pa ndërgjegjshëm në shkollë, por unë prapë kisha vazhduar të pikturoj!… Edhe në kohën kur unë isha gazetar dhe shkrimtar me një roman të botuar më 1990 ” Shakullina”, kisha përsiatur në vete, kur kisha hyrë në një operacion të rrezikshëm, kur isha mes jetës dhe vdekjes, më kishte feksur një mendim i thellë në vete: “Nëse nuk do zgjohem më, atëherë ky roman do ta mbajë të gjallë emrin tim!…” kështu është puna e artistit dhe artit, ai lind dhe jeton nga dramat e mëdha dhe të thella!… Ato e kanë përshkuar jetën time që shpesh ka qenë një letër lakmusi në dramën tonë si shqiptar në shekullin që lamë pas, dhe të riun që po e jetojmë!….
Portali Shqip: Keni jetuar një kohë të gjatë ne Gjermani, kur keni shkuar atje?
Arsim Kajtazi: Unë kam emigruar në vitin 1993 në Gjermani, dhe pastaj jam detyruar që ta shkëpus nga mëmëdheu edhe familjen time të ngushtë, gruan me katër fëmijët… Po jetojmë në Evropë duke pretenduar se jemi pjesë e saj, por duke qenë të censuruar dhe tu futur në kushtëzime e standarde që kanë nisur të bëhen të pakuptimta edhe në rastet kur ato janë arritur edhe shumë vite më parë se sa ato të vendoseshin! Kësisoj si janë vendosur tani, dhe të kalkuluar nga lojëra të paqarta të politikës, po bëhen kundërproduktive! Ka ende shumë paragjykime për shqiptarët, edhe pse në qëndrojmë në mos më herët, bile kohësisht që nga antikiteti së bashku me grekët e lashtë, në themelet e kulturës evropiane!… Edhe në Mesjetë, edhe në Renesancë, edhe në Romantizëm… edhe në kohën bashkëkohore!… Kemi emra të njohur që i përkasin panteonit të kulturës evropiane! Edhe pa këto “standarde evropiane” bie fjala Kramon Von Ferri – Belegu ishte një artist i madhe në vitet ´90, që në Gjermani e Austri ka shkuar pa viza dhe është inkuadruar në rrjedhat bashkëkohore të artit evropian, apo Gjelosh Gjokaj, e më vonë Dalip Kryeziu, e disa artistë të tjerë, pas tyre që sot po bëjnë emër!… Unë sot jetoj me një këmbë në Gjermani dhe më një në Kosovë, thënë figurativisht, duke bërë përpjekje , e duke pasur ambicie, që të arrijë që të bëhem një krijues i mirëfilltë në këto hapësira, mbase edhe më gjerë, prore i ngarkuar me atë dramën e madhe të notimit në dallgët e mëdha të jetës , që herë-herë dinë të jenë tepër kërcënuese!…. Por, deri më tani ato i kam përballuar… Jam hedhur në det pa ditur not mirë, ndërsa tani e kam mësuar notin vet, dhe besoj se mund t´i përballojë edhe dallgët e mëdha dhe të papritura!…
Portali Shqip: A ka ndikuar qëndrimi juaj ne Gjermani në veprimtarinë tuaj artistike?
Arsim Kajtazi: Natyrisht, vetëkuptohet!… Ne jetojmë në një “unitet të të kundërtave” dhe sipas ligjësive bazike reale jetësore “shkak-pasojë”, e të mos flasim për ndërlidhje e ndikime edhe më komplekse dhe fine!… Në kontaktin tim të parë me këtë ambient dhe njerëzit që fati ka dashur të kontaktoj për herë të parë, edhe në pamundësi të një komunikimi të mirëfilltë përmes gjuhës, pra përkundër barrierës gjuhësore (!) nga komunikimi spontan me artin, mbase edhe më kulturën e sjelljes, unë hasa në një mirëkuptim dhe befasi të këndshme, ashtu si më janë qasur e më vonë të them si më kanë pranuar!… Nuk e besuan se unë ashtu i kultivuar si isha po vija nga një vend që ende nuk e njihnin mirë, në kulmin e krizës së zhbërjes së ish – Jugosllavisë federale, pjesë e së cilës e kuptuan më vonë se ishte edhe Kosova, me shumicën shqiptare që po diskriminoheshin në një shtet në zhbërje nga ambiciet nacionaliste e shoviniste serbe!… Këtë e bëri edhe puna ime që kisha marrë me vete dhe ato që kisha nisur ti krijoja sa isha edhe në Qendrën e strehimit azilkërkues!… Kujtoj rastin kur personi që po më intervistonte kish marrë me vete pikturat që kisha bërë ato ditë aty, dhe shkonte korridorit e zyrave afër duke thënë: “Shikoni kush na ka ardhur!”…. Gjithsesi se unë pata rastin të vizitoj shumë galeri e muze arti dhe drejtpërdrejt, jo tashmë vetëm nga ndonjë foto në libra, por me veprat reale konkrete të mjeshtërve të mëdhenj të artit klasik dhe modern, mirëpo unë , edhe më shumë në këtë distancë të kushtëzuar nga Kosova, u lidha me të, edhe në frymën time krijuese, edhe temat, edhe stilin që kisha shpërfaqur që nga vitet 1985…. Pra, më shumë isha i preokupuar që të ofroja diçka timen, diçka tonën që kishte themelet e artit dhe kulturës së arritur deri në atë kohë te ne, dhe tash nga kjo perspektivë se si kanë ndodhur e janë zhvilluar proceset shoqërore e politike dhe tashme edhe kulturore, po vijmë në atë shkallë sa të vizualizojmë e konkretizojmë idenë se ne kemi tashmë mundësi në Evropë të eksportojmë më shumë art, letërsi dhe kulturë të themi shqiptare!… Dhe këtu po lidhemi me temën aq shumë të përfolur edhe nder ne rreth identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar!…Pra, në detin e kulturës së përbotshme edhe ne jemi ca pika në det dhe të themi se jemi edhe pjesë e detit!…. Pa deklarativizëm dhe glorifikim, ne jemi një popull me identitet dhe mjaftë inteligjent dhe që lidhemi dhe integrohemi shumë lehtë, por duhet të bëhemi të mençur t´i ruajmë edhe veçoritë tona më të mira!… Një dhe kulturë që arrin të shfaq identitetin e vet, nuk është aspak inferiore, përkundër rrethanave të pafavorshme që ka ditur të na imponojë loja e madhe dhe dramatike në rrjedhën e historisë!… E kam pasur shumë herë si vizion se ne jemi në fazën e ringjalljes si Feniksi nga hiri, dhe ky motiv ka gjetur shpesh vend në pikturat e mia! Feniksin e kam parë shpesh si një shqiponjë që po forcon krahët dhe që synon lartësitë dhe majat!…
Portali Shqip: Ku jetoni tani, dhe çfarë ju preokupon në veprimtarinë tuaj?
Arsim Kajtazi: Unë po jetoj në Evropë me një këmbë në Gjermani, me një në Kosovë, ndërsa sado që më është shfaqur ndonjë vegëz bashkëpunimi e komunikimi me artin tim edhe në ndonjë galeri arti edhe në ndonjë qytet në Evropë dhe Amerikë, ende nuk e kam mundësinë e fuqinë që të përballoj notin përtej Atlantikut! Por, nëse do të bëhem, e bëhemi vërtetë evropianë edhe bota do jetë e jona! Jam në një fazë të bujshme krijuese në pikturë, dhe në pauza po bëj plane si ta bëj një botim përmbledhës timin në fushën e shkrimit dhe letërsisë! Ka kohë që po e mendoj si ta fus në këtë ansambël veprash edhe romanin tim të parë ” Kodra e diellit”, që po mendoj ta botoj me disa shënime përcjellëse! Atëbotë, isha njëri nga krijuesit me të rinj që në moshën 14 vjeçare do ta ketë shkruar një roman, por jo të zakonshëm!… Botimi do të hidhte më së shumti dritë reale për njohësit e studiuesit kureshtarë e të mirëfilltë të letërsisë se çfarë ka shënuar ajo vepër në atë kontekst historiko letrar tek ne, një pjesë thelbësore e të cilit atëbotë e censuruar tek ne, do të gjej mundësinë që i përkthyer, të botohej në gazetën “Studenti”, të Beogradit në vitin 1976, kur unë isha në vitin IV të Gjimnazit, dhe i shkruar 2 vite më parë!… Realisht me këtë vepër dhe kohën kur është shkruar. ( Pata marrë pjesë në një konkurs të shoqatës së shkrimtarëve për roman në vitin 1975 dhe nga juria, është i botuar një vështrim i jurisë për këto vepra , dhe është bërë një vështrim thelbësor edhe për romanin tim, strukturën dhe stilin e tij, që besoj do ta fus në shënimet përcjellëse të këtij romani!)
Pra, po i kthehem fëmijërisë dhe rinisë dhe po shoh se tashmë i kam mbushur 62 vjet dhe po duket se po më shfaqen shenjat e para të pleqërisë si moshë, por të një rifreskimi dhe ripërtëritje si ëndërr, si kujtim, meditim dhe kreacion në krijimtari, që po më bënë shumë aktiv dhe të freskët në preokupimet e mia krijuese! … Po e ndjej se ende jam një burim që nuk po shter dhe po sjell për të pirë ujin e pastër jetëdhënës!… Është po ai burim ku unë pijë ujë që nga fëmijëria dhe po bashkëjetojnë Arsimi piktor dhe Arsimi shkrimtar! E di se ti thuash vetes piktor dhe shkrimtar nuk është aq lehtë, por me punën time mendoj se ua kam mbushur mendjen tashmë se unë jam ky që jam, pra piktor dhe shkrimtar që jetoj me këto e për këto dy krijesa të qenies sime, dhe nuk kam menduar kurrë se duhet të jetoj nga to! Mendoj se kjo mua më është përshtatur, sepse arti im nuk është tjetërsuar asnjëherë nga lakmia për paranë dhe jetën e bërë me to!… Nuk kam pse të krekosëm, por unë po jetoj për artin kur nuk bëjë asnjë punë tjetër!!!…. Por, në rrjedhën e jetës shpesh ka ndodhur që të bëjmë jetë edhe paralele për te ekzistuar dhe mbajtur familjen, dhe të mos e lë të flejë në mua as piktori as shkrimtari!…
Portali Shqip: Jeni marrë me shkrime intensive letrare, duke sjellë risi në një aspekt të letërsisë sonë, atë të magjishmen. Përse tani nuk botoni?
Arsim Kajtazi: Marrja me veprën e Kadaresë më ka lenë “dorën e keqe”, nga pakujdesia jo vetëm e imja, pra teknike, unë humba romanin që e kisha lënë ta finalizoja posa ta kryeja studimin e magjistraturës, dhe mbase e vlen ta botoj në kompletin e veprave të mia që po planifikoj ta përgatis. Ai roman do ta rrumbullakonte një koncept timin të prozave, romani i parë “Shakullina”, me bazë mitike dhe ekzistencialiste simbolike dhe filozofike, i dyti “Të vdekurit vallëzojnë” , me një temë dhe qasje realiste dramatike e lirike, i treti prapë i kthehet ciklit mitik, simbolik, filozofik dhe ezoterik, që është një vazhdimësi e romanit “Shakullina”, dhe do pasonte romani tashmë i tretur, “Ku e kam nënën”, që kishte për temë artistin në dallgët e luftës ekzistenciale krijuese e kombëtare, dhe që prapë ndërlidhet me romanin tim të parë. Kam menduar që ti qasem rikujtimit dhe mbase mundësisë së rikrijimit, por po më pengon e vërteta se ai është shkruar dhe po rri diku duke më pritur në sirtarë!…Për hatër të mikut tim skulptor dhe artist Ramë Ukaj, që tashmë ka vite që jeton dhe krijon në Gjermani, që ishte figura nxitëse pra edhe prototipi jetësor po edhe letrar, që më frymëzoi ta shkruaja këtë prozë! Ai, si figurë letrare kishte zënë vend edhe në romanin tim të parë të botuar ” Shakullina”… Rama më kishte dërguar shkrimet e mia për të që pas luftës i kishte gjetur diku në therrat e gardhit, të bartura nga erërat e luftës, dhe pas ndezjes dhe shkatërrimit të ateliesë së tij në Kosovë, dhe dëmtimit dhe zhdukjes së veprave që kishte lënë në Kosovë, në mesin e tyre edhe portretin e nënës të punuar në mermer, që kishte pasur temë diplome në Akademinë e Arteve të Prishtinës!… Atë e kishte gjetur diku në fund të arave poshtë ateliesë, të dëmtuar e të bërë si një figurë antike ilire!…Nëna i kishte vdekur atëbotë shumë herët, dhe kërkimi i nënës skulpturë pas luftës së fundit të Kosovës me forcat militare dhe paramilitare serbo-çetnike, njerëzve që kishin humbur të dashurit e tyre, ky rast ju dukej paradoksal, duke menduar se edhe ai ishte çmendur nga lufta!
“Ku e kam nënën, ku e kam nënën?!”
” Po ty nëna të ka vdekur me herët, pse je duke e lypur?!…e ke ndër varre!…” ishte një pyetje çuditëse që i kishin bërë bashkëfshatarët e vendlindjes!…
Besoj se kam me iu kthye edhe një herë kësaj teme dhe do ta ringjalli nga hiri, si Feniksi edhe këtë prozë, për hir të idesë dhe mesazheve shumë të forta që do të mund t´i shpalosja përmes kësaj teme, të parrahur ndër ne, kështu si unë e kam konceptuar trajtimin e dramës së luftës!… Besoj se librave të poezisë do ti shtohet edhe një, ku do te përfshihen të gjitha poezitë e shkruara pas librit te fundit me 1999 “Duke krijuar vetveten”….
Portali Shqip: Perse është kaq pak e pranishme kultura shqiptare në Evrope, e në veçanti në Kosovë? Këtu përfshihet kultura e leximit dhe e artit pamor?
Arsim Kajtazi: Nga ajo që kam vrojtuare përjetuar për këto vite jete e pune në fushën e artit, letërsisë kulturës, në raportet: ne dhe të tjerët, mund të tërheq një diagonale: një shoqëri që ballafaqohet në zgripet ekzistenciale e ka vështirë që të kultivojë, dhe distribuojë vlera të lakmuara dhe me nivel, që i përafrohen niveleve të arrira të themi evropiane! Investojmë pak dhe kemi pak të arritura! Jemi me shumë individualistë dhe nuk funksionojmë si një shoqëri e organizuar edhe kur bëjmë prezantime jashtë Kosovës. Madje, edhe një bashkëpunim fare i ngushtë i mirëfilltë mes krijuesve tanë nuk është në nivelin e dëshiruar. Jemi edhe smirëzi, mendojmë më shumë vetëm për interesa vetjake, dhe duket i frikësohemi së pari një konkurrence brenda rrethit tonë, e pale pastaj të hyjmë në konkurrencë në nivele më të gjëra e më të larta evropiane. Pra, të gjitha të arriturat e mundshme janë më shumë të arritura individuale e shumë pak të organizuara! Kosova si një shtet i ri në formim, besoj do ta vërej me kohë se për ta prezantuar veten jashtë me emancipim e kulturë të formësuar, i duhet të investojë edhe shumë në bartësit e mirëfilltë të vlerave krijuese kulturore, e jo në matrapazët e kulturës, ajo të bëhet e fortë në vend dhe si e tillë edhe si një shtysë e fortë që të gjejë rrugë e mënyra të paraqitet sa më denjësisht jashtë! Investimi në kulturë sjellë të mira afatgjata në mënyrë të tërthortë, në prezantimin dhe njohjen e subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Ne kemi aq shumë vakume bashkëpunimi edhe brenda hapësirës shqiptare e lërë më të paraqitemi më me ngulm e nivel, me një komunikim intensiv e kualitativ në hapësirën evropiane, që edhe ashtu është mjaftë heterogjene, sepse secili shtet i kësaj bashkësie i ka edhe veçantitë e veta! Ka diçka që nuk shkon tek ne, injoranca, dualizmi dhe një përçarje latente tashme e mbjellë historikisht nga ata që nuk na e kanë dashur kurrë të mirën, që tashmë ka krijuar një përçarje permanente që pengon në komunikimin e ndërsjellë, së pari ndër ne si komb dhe kulturë, e pastaj edhe në paraqitjet tona jashtë hapësirave shqiptare!… Qasjet ekskluzivisht individualiste dhe subjektive nuk kanë krijuar një pasqyrë të qartë të mozaikut të vlerave kombëtare, dualizmi Kosovë – Shqipëri duket historikisht është dramatik dhe fatal, si në politikë, ashtu dhe në ekonomi dhe kulturë, sado që tani deri diku janë krijuar disa premisa dhe parakushte që ky komunikim brenda kombëtar të jetë më i natyrshëm dhe spontan. Në organizimin e disa panaireve të librit si dhe disa kolonive brenda hapësirave shqiptare po ndodhë një lloj përafrimi që po i thyen e tejkalon disa barriera , duke bërë që drejtpërdrejt të demonstrohen shkollat tona të artit, letërsisë , muzikës, filmit… dhe shihet si marrin e si dhënë ( bie fjala shkolla soc-realiste, realiste ekspresive dhe ajo moderne, abstrakte ekspresive ! ). Pra njohja më e thellë ndër vete krijon edhe kulturë të komunikimit e dialogut, krijon mirëkuptim, edhe i tejkalon paragjykimet. Fillimisht ne pa krijuar një hapësirë tolerante e të mirëfilltë komunikimi si kulturë të sjelljes brenda hapësirës sonë, vështirë e kemi që atë ta bartim e rrezatojmë në ambiente më të përparuara! Pra, ne më shumë kemi depërtime individuale herë pas herë me ndonjë krijues më të zhdërvjelltë që ka ditur të gjendët , herë-herë të ndihmuar edhe nga konjukturat politiko-kulturore, që më pastaj të mohohet ajo e të tregohet jo qartë mënyra dhe rruga e afirmimit! Kam bindjen se krijuesit shqiptarë nga ambiciet subjektive dhe duke pasur kompleksin e të parit nuk lënë rreth vetes krijues të tjerë, sikur ikën nga njeri-tjetri që në sy të botës të duken të vetëm dhe të parët si shqiptar!…. Këtë ves të keq të inferioritet e provincializmit e kam parë edhe te piktorët edhe te letrarët, që shfaqet përmes krekosjes e mendjemadhësisë! Nuk është çudi që përgjithësisht po na shfaqet kultura e përçarjes, dhe për këtë tashmë ne nuk e kemi të drejtën e luksin që atë ta projektojmë diku tjetër, apo të të tjerët dashakeq! Ajo pavarësisht se nga kush e për çka është mbjellë, po bënë fruta në truallin tonë, dhe na mbetët në dorë! Ne po gjenerojmë së pari mes vete kulturën e grindjes, arrogancës, injorancës dhe të përçarjes! Këtë po e bënë politika, këtë po e bënë edhe kultura e manipuluar nga politika, kjo po na bëhet kulturë e sjelljes gjithandej, pikërisht në kohën kur më së paku na duhet si shoqëri e etnikum në dallgët e globalizimit të jetës! Po nuk patëm realisht identitet të formuar , (e jo me identitet të idealizuar e dogmatizuar , të shpifur e të glorifikuar), rrezikojmë që të tjetërsohemi e asimilohemi dhe të mbesim pa vlera të qëndrueshme kulturore!
Në këtë udhëkryq është koha që të kthjellemi dhe të shfaqën forca reale të mirëfillta të brezit të ri, që të kapin filet e jetës së mirëfilltë dhe të kërkojnë që këtë shoqëri ta orientojnë drejt vlerave të mirëfillta shoqërore, politike e ekonomike dhe kjo gjithsesi se do ushqehej edhe nga vlerat e mirëfillta kulturore që ato të duken bindëse, të besueshme dhe të marrin përgjegjësitë për ringjalljen e domosdoshme të jetës në këto hapësira, ku, po nuk ndodhi kjo ripërtëritje demokratike, rrezikojmë të defaktorizohemi, dhe të tjetërsohemi nga pseudo vlerat!… (Portali Shqip)