16.7 C
Pristina
E hënë, 14 Qershor, 2021

Origjina shqiptare sipas burimeve të vjetra dhe më të reja

Nga Abraham Gashi

Çështja e origjinës së shqiptarëve ka qenë dhe mbetet temë kryesore në studimet e sotme në fushën e antropologjisë, gjuhësisë apo arkeologjisë, qoftë brenda shqiptarëve, apo në mesin e shkenctarëve botëror. Kjo do të thotë se ne ende jemi në kërkim të identitetit dhe prejardhjes sonë të lashtë. Grupe të ndryshme interesi, institucione, shkenctarë të ndryshëm, shpesh nën ndikim politik, përkrahin apo kundërshtojnë teza të ndryshme. Teza më e pranueshme deri tani është se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, por ka të tjerë që i vendosin ata në këto troje edhe më heret. Johann Georg von Hahn (11 Korrik 1811 – 23 Shtator 1869) një diplomat dhe studiues austriak i shekullit nëntëmbëdhjetë, i cili shpesh njihet si themeluesi i studimeve shqiptare (Albanologjisë), shkruan se shqiptarët janë me origjinë pellazge. Unë në studimet e mia kam hasur burime të tjera të cilat gërmojnë edhe me thellë, dhe se origjina shqiptare shkon tutje kohës së pellazgëve dhe është e lidhur ngushtë me Lidian (Lydia), banorët e së cilës quheshin lidian. Këtu bashkohen të parët tanë pellazët, dardanët, fiset trojane me etruskët. Derisa etruskët emigruan ne perëndim të Italisë së sotme dhe vunë themelet e civilizimit të sotëm evropian, pellazgët, dardanët, the fiset trojane, kaluan nga Azi e Vogël dhe u shtuan dhe u mbarështruan në Greqinë e Lashtë dhe Iliri. Gjurmë të lëvizjen së tyre mund të hasen në Bullgari e Rumani.

Ndër faktorët kryesorë që ndihmojnë në përcaktimin e origjinës së një populli janë antropologjia dhe gjuhësia. Gjetjet më të fundit dhe më interesante për origjinën tonë janë rezultatet e ANDs, pjesërisht të publikuara në Internet në gjuhën angleze. Sipas gjetjeve në studimet e AND-së të parët tanë janë me origjinë nga Azia e Vogël (ketë e thotë edhe shkrimi i përkthyer më poshtë) dhe rrjedhin nga lidianët. Sipas disa studiuesve epiriotët dhe etruskët, të cilët në antikitet njihen edhe si pellazgë, janë poashtu me origjinë lidiane.

Derisa, gjetjet e fundit shkencore nga gjuhësia që vijnë nga Austria pothuajse e mbështesin këtë tezë nga aspekti gjuhësor. Sipas gjuhëtarëve austriak, Dr. Stefan Schumacher dhe Dr. Joachim Matzinger, gjuha e (vjetër) shqipe ka patur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e disa gjuhëve tjera ballkanike. Ata duke shfrytëzuar tregimin e Adamit dhe Evës të botuar në gjuhën italianë dhe shqipe, (shih foton e publikuar nga Dr. Stefan Schumacher më poshtë), mëtojnë të dëshmojnë këtë ndikim të gjuhës së vjetër shqipe (arbërishte v.j.) përmes fenomenit “Sprachbund” në rajonin e Ballkanit, ku fliten gjuhët shqipe, greke, maqedone, bullgare e rumune..

 

 

Në një ndejë të organizuar nga KUSA nga gjysma e muajit Dhjetor të vitit 2017, një zyrtar amerikan i USAID, pasi që i thashë se mirresha me studime gjuhësore, më pyeti: A është vërteturar akoma teza se shqiptarët janë pasardhës të ilirve? Unë e këshillova ate të lexoj një libër që e kisha lexuar ato ditë të historianit amerikan të shekullit nëntëmbëdhjetë  John Clark Ridpath (Xhon Klark Ridpath) që mban titullin “Racat e Mëdha të Njerëzimit”. Ja se ç’thotë ai për shqiptarët:

Shqiptarët sipas historianit amerikan të shekullit XIX Xhon Klark Ridpath

Ndarja e dytë etnike e pupujve të Greqisë moderne janë shqiptarët. Në gjuhën e tyre ata njihen si shqiptar ose arnaut, qe ka kuptimin malësor. Siç e kemi thënë Shqipëria pothuajse koinçidon me shtetin antik grek Ilirinë. Por, raca shqiptare nuk eshte e kufizuar në këtë rajon. Është e kudërta, kjo racë shtrihet në Atikë dhe Megaris, por jo edhe në qytetet kryesore. Pjesa më e madhe e Beotisë, një pjesë e madhe e rrethit të Lokrës, dhe gjysma jugore e Eubeas gjithashtu janë të banuara me shqiptar. Disa pjesë të Eginës dhe Andros si dhe ishujt Salamina, Paro, Hidra, dhe Specia kanë të njëjtën popullatë; poashtu në Argol, Sikioni, Arkadi, Lakoni, Mesinë dhe Eli aty këtu gjenden banime shqiptare.

Ky popull ka gjuhën e vet, një dialekt arian, që padyshim mund të haset në formën antike greke që flitej në Iliri gjatë kohës së ngritjes së helenizmit. Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit të tyre kanë mësuar greqishten, dhe në të njëjten kohë, deri diku kan lënë pas dore dhe kanë harruar gjuhën e tyre të nënës. Në të vërtetë, thuhet se në Greqinë e vitit 1870 vetëm rreth tridhjeteshtatë mijë shqiptar nuk kishin adaptuar gjuhën greke. Ata gjithashtu janë bërë anëtarë të kishës greke. Në Shqipëri feja muhamedane dominon, edhepse besimi ortodoks grek njihet dhe lejohet.

Ne jemi në gjendjë të gjurmojmë me një saktësi të lejuar transformiment e shumta historike të cilat na dëshmojnë se epirotet, Ilirët dhe maqedonët e lashtë u ringjallën gjatë mesjetës në racën e sotme shqiptare. Në kapitullin pararendës pamë karakterin dhe prirjet e fiseve qe jetonin në këto zona. Arritjet e tyre më të mëdha kombëtare ata i përjetuan gjatë kohës së Perandorisë Maqedone. Pas rënjes së Maqedonisë dhe shpërbërjen e shtetit në shtete të vogla instiktet e vjetra u ringjallën – instinktet e luftës dhe pavarësisë. Gjatë një periudhe galët dhe bullgarët filluan trysninë mbi Greqinë e Lashtë dhe raca e lashtë greke në tërësinë e vet rrezikohej nga zhdukja nga barbarët. Mirëpo, ishin ilirët dhe burrat e Epirit ata që u bënë valëpritësit e përmbytjeve. Për një kohë të gjatë ata ruajtën frymën mbrojtëse ndaj fiseve teutonike dhe sllave në very dhe dhe perëndim. Muhamedanët erdhen në numër të madh nga lindja, dhe populli të cilin ne sot e quajm shqiptar u desht të ballafaqohej dhe të mbrohej nga Islami. Turqit bënë pak përparime përballë armikut të tyre të patundur. Gjergj Kastrioti i famshëm u bë udhëheqës popullor, atë turqit e thërrisnin Skenderbeg. Shumë herë Muhamedi i II-të, pasi pushtoj Konstantinopojen, dërgoi ushtritë e tij kundër shqiptarëve vetem e vetem për të pësuar humbje nga ta. Pas shumë tentimesh të kota për ti pushtuar ata ai ua njohi pavarësinë përmes një marrëveshje zyrtare e cila zgjati deri në vdekjen e Skederbeut, atëhere lufta rifilloj.

Më 1478 Shkodra u rrethua nga turqit dhe shqiptarët e humbën betejen. Por malësorët asnjeherë nuk e pranuan sundimin turk. Këta të fundit u detyruan ti angazhojnë ushtarët shqiptar në ushtrinë e sulltanit, dhe shfrytëzuan vyrtytin e tyre të natyrshëm për të plaçkitur në luftra në vendet tjera. Gjatë kohës sa Perandoria Osmane po rritej shqiptarët ishin të pushtuar nga perandoria muhamedane. Por, sapo filloj të bie fuqia e perandorisë fryma e vjetër e fiseve të Maqedonisë dhe Ilirisë u ringjall, dhe nën udhëheqjen e të famshmit Ali Pashai, Shqipëria, kah fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë,  u lartësua dhe pothuajse u bë mbretëri e pavarur. Nami i kësaj lufte dhe i udhëheqësit kokëkrisur të saj i dha kësaj race karakterin pasues. Më pastaj shqiptarët gjithmonë nxiteshin nga kujtimet e luftrave dhe fitoreve dhe Ali Pashai hyri në këngët e luftrave të këtij vendi si hero kombëtar.

Gjatë tërë kohës së pushtimit muhamedan, që nga fundi i shekullit të pesëmbëdhjetë, raca shqiptare përballej me veprime të forcave të kudërta, disa e tërhiqnin popullin drejt turqve e të tjerët drejt grekëve. Duke qenë të një race instinkti i shtynte ata të rreshtoheshin me grekët, por feja e tyre i mbante ata në aleancë me Turqinë. Në pjesën përendimore të Shqipërisë, e veçanërisht në krahinën malore të Sulit, kisha greke ruajti ndikimin e saj; dhe shqiptarët të cilët janë të shpërndarë në krahinat qendrore dhe jugore të Greqisë përgjithësisht i përkasin kësaj kishe. Ata të gjithë përkrahën lëvizjen e grekëve të sotëm për themelimin e kombit. Por shqiptarët maqedon u mbajtën nën ndikimin e Portës së Lartë.

Këto zhvillime i dhanë mundësinë Ali Pashait që të bëjë lojë të dyfisht gjatë tërë karierës së tij. Po këto rrethana penguan shqiptarët që shpirtërisht të bëhen pjesë e kauzës greke për pavarësi. Po të hidheshin ata përkrah rrebelimit të madh të vitit 1821 me entuziazëm, dhe po ti pranonin grekët shqiptarët me të njëjtin entuziazëm, pa dyshim se i tërë vendi do të çlirohej nga pushtimi turk. Por, urrejtja fetare që ekzistonte në mes këtyre dy popujve pengoj bashkimin, dhe shqiptarët ose rrinin mënjanë ose rreshtoheshin me turqit.

 

Patriotizmi dhe trimëritë e Suliotëve

Megjithatë, Suliotët, të cilët tashmë kishin vuajtur nga Ali Pashai dhe të cilët për një kohë të gjatë kishin përjetuar tiraninë e turqve, ju bashkuan kauzës greke. Po të ishin më të përparuar dhe me dëshirë ti nënshtroheshin urdhërave dhe komandës ushtarake që kërkohej, ata do arrinin të kryenin punë më të mëdha. Edhe ashtu siç ishin, ata, së bashku me grekët tjerë arritën famë të madhë ushtarake në tërë Evropën Perëndimore. Nën udhëheqjen e Marko Boçarit ata fillimisht i bënë ballë ushtrive të Ali Pashait me heroizmin e tyre të racës antike; pastaj më 1820 i bashkuan forcat me të në Epir dhe arritën ta kthejnë Sulin dhe pastaj luftuan kundër turqve në perëndim të Greqisë.  Më 1822 ushtria suliote u shkatrrua gjatë një sulmi të tmerrshëm mbi kështjellën e Qafës atëhere kur ata u munduan të lirojnë garnizonin Suljot që mbahej ngujuar aty brenda. Boçari mëpastaj e udhëhoqi fisin në Mesollonjë prej ku vazhdoj të luftoj si hero grek i lashtësisë epike derisa një natë me ne fund u vra, siç e di e gjithë bota, gjatë një sulmi kundër kampit turk. As Lord Bajronit nuk i ka ikur nga vëmendja shpirti luftarak i fisit në njërën prej këngëve të tij për luftërat greke:

“Oh! Kush është më trim se sa një Suliot zeshkan,

I veshur me çamezen e tij si dëbora dhe kapotën e tij të leckosur?

Fisin e tij të eger ja lë ujkut dhe hutave,

Dhe zbret në fusha si ujvara nga shkëmbi.

Numri i përgjithshëm i shqiptarëve është rreth një million e dyqindmijë. Në këtë shifër janë përfshirë ata grek (të krishter v.j) dhe turq (musliman v.j) që jetojnë në Maqedoni, Epir dhe Iliri. Me shumë se gjysma e popullatës janë muhamedan, më pak se gjysma janë katolik grek. Megjithatë, thuhet se e tërë popullata e duan Kishën Greke dhe se pranimi i fesë Islame ka për motiv interesat. Mëshkujt e familjes shkojnë në xhami për tu lutur, por gratë pothuajse të gjitha shkojnë në kishë. Të dy fetë janë të pranishme mbrenda familjes dhe në të njëjten sofër. Shpesh ndodhë që ushqimet të cilat janë të pa pranueshme për ismailitët por të pranueshme për të krishterët shërbehen në sofër. Gratë mund të shihen tek hanë ushqime të cilat burri dhe djalëria e kanë të ndaluar.

 Mprehtësia e karakterit të lashtë grek gjallëron tek shqiptarët

Mirëpo, besohet se, këto dallime nuk janë të vërteta. Në një situatë të tillë, padyshim mprehtësia e racës greke ka shkaktuar shumë huti dhe mungesë sinqeriteti. Nëse gjykojmë sipas rregullave islame, mund të besohet lehtë se mëshkujt janë më pak fetar se sa femrat. Si rezultat i këtyre rrethanave shqiptarët asnjëhërë nuk janë pajtuar me sunduesit e tyre. Porta i sheh ata si të pafe dhe të pabesë. Turqit nuk kanë besim në sinqeritetin dhe devotshmërinë e vartësve të tyre shqiptarë, dhe është bërë e zakonshme që ata të flasim për ta me përbuzje. Qëndrimi që shqiptarët mbajnë përballë pushtuesit është i njëjtë sikurse ai që mbanin grekët e lashtë në rrethana të tilla. Zgjuarsia dhe dredhia e racës së vjetër shfaqet në dredhitë dhe tradhtitë e pasardhësve të tyre të sotëm. Mirëpo, duhet të mbahet mend patjetër se këto veti të karakterit nuk shfaqen nëlloj në bisedë me popujt perëndimorë si në paturpsitë e tyre kundrejt turqve. Duhet gjithashtu të kihet parasysh se shqiptarën janë shumë më të hapur dhe më të sinqert se sa grekët e sotëm.

Liçenca dhe kusaria e shqiparëve

Ndoshta nuk ka asnjë vend në Evropë ku mbretëron paligjshmëria dhe bajraktarizmi sa në malësitë e Shqipërisë. Ky komunitet është më pak i organizuar se sa çdo komunitet tjetër në perëndim të Detit të Zi. Njerëzit janë të ndarë në grupe gjë që pak a shumë ngjanë me fiset e malësive të Skotlandës. Thuhet se nuk mund të gjesh një shqiptar madhor i cili nuk është apo nuk ka qenë anëtar i një grupi apo bande kusarësh vetqeverisëse të cilët energjitë e veta i shfrytëzonin për të bastisur dhe plaçkitur. Shqiptarët janë gjithmonë të armatosur edhe kur bëjnë punët e shtëpisë. Në malësitë e Thesalisë dhe të Maqedonisë masa kryesore e mbrojtjes së familjes është trimëria e burrave. Të jetosh si kusar nuk është diçka e pandershme. Kur burrat plaken dhe nuk janë aq aktiv për të ofruar shërbime të jashtëligjshme ata rrinë në shtëpi pranë familjes, dhe kur flasin me udhëtar – gjithnjë me pak krenari – tregojnë për rreziqet dhe ndodhitë e ndryshme të jetës së tyre të mëhershme. Gjatë bisedave të tilla një hero shqiptar do të ju tregoj pa u skuqur se ka ndodhur kështu apo ashtu “kur isha komitë”.

Vlerat e shqiptarëve si ushtarak të Portës

Plaçkitja e paligjshme nuk jua ul vlerat kur merren parasysh prirjet e tyre.Shqiptari i sotëm ruan traditën e dembelisë që kishte greku i lashtë për të punuar tokën. Ai punët e tokës ja bart skllevërve apo vartësve derisa vet ndjek rreziqet dhe aventurat. Trimëria, për të cilën shqiptarët janë aq të famshëm në tërë Evropën, është greke (e lashte v.j.) në të gjitha tiparet. Askush se di këtë gjë më mirë se sa turqit. Prandaj ata angazhojnë ushtritë e tyre aq sa munden nga malsitë e Maqedonisë dhe Ilirisë. Sa herë që grupet e cubave shtohen së tepërmi shqiptarët braktisin cubat dhe bëhen pjesë e ushtrisë së pashait dhe asnjë anëtar tjetër i ushtrisë turke nuk nderohet më shumë për trimëri dhe luftë. Ishte ky element i ushtrisë turke gjatë luftës së Krimesë që nxiti admirimin dhe garën në mesin e ushtarëve anglez dhe frëng të cilët ishin aleatë në luftë kudër rusve. Uniforma Zouave si dhe metodat dhe taktikat të cilat janë bërë aq të famshme në disa pjesë të Evropës dhe në Amerikë përgjithësisht janë me origjinë shqiptare.

Popullata shqiptare nëpër qytete nuk është e madhe. Shkodra, që është kryeqytet, e që gjendet buzë liqenit me të njëjtin emër, ka rreth dyzetmijë banorë. Prizreni është qyteti kryesor industrial. Këtu prodhohen armët dhe enët që shqiptarët përdorin në shtëpi dhe në luftë. Tregëtia nuk përkrahet shumë. Shumica e tregëtarëve në vend janë grek të cilët kan trashëguar shpirtin tregtar nga të parët e tyre. Eksportet janë përgjithësisht mallra të papërpunuara – si lopë, dele, ushqime rezervë, pambuk, lëkura, ilaqe, bojra, mish i terur, dhe bung, për këtë të fundit duhet të shtoj se eksportoheshin kupat e lëdëve (në Ks njihen si kapuqat e lenave v.j.) të lisit bung, nga i cili prodhohet acidi tanik. Ullinjtë, rrushi, shegët, portokallet, limonat, manët (në Ks njihen si duda v.j.) dhe fiqtë prodhohen vetëm por nevoja vetjake. Vaji, duhani dhe pambuku eksportohen në masë të madhe. Ishujt e zhveshur të Mesdheut furnizohen me material ndertimi nga pyjet e Shqipërisë. Gjërat e importuara janë përgjithësisht stofna që nevojiten për qepjen e rrobave. Një pjesë e madhe e prodhimeve të vrazhdëta dhe të lira gjermane mund të gjenden në tregun e vendit. Tregëtia më aktive në vend është ajo e armëve, enëve, barutit, pajisjeve të rënda, kafes dhe sheqerit.Veshja kombëtare e jashtme e burrave quhet gunë dhe prodhohet në shtëpi, sikurse edhe shumica e armëve dhe enëve.

Arti në veshjet kombëtare shqiptare

Veshja kombëtare shqiptare ka vlerat më të larta artistike të kohës së sotme, Ngjanë shumë me ato të malësorëve të Skotlandës. Këmisha është prej pambuku. Sipër këmishës veshin një fustanellë të bardhë të leshtë të gjatë deri në gjunj, e mbi të veshin një xhamadan. Rreth belit veshin një shokë, apo brez, në të cilën futen armë dhe jatagan të bollshëm, etj. Dollaket (mestet) janë me ngjyra. Në këmbë mbathin opinga. Në kokë mbajnë kapele të kuqe (në Çamëri v.j.), e cila njihet si kapela turke, dhe atë e mbështjellin me një kllapë të kuqe të dredhur, apo me nje shall të lehtë. Veshja e prijësve dallon nga ajo e vegjëlisë përnga hijeshia e materialit apo zbukurimeve. Xhamadanët e të pasurve punohen me kadife dhe qendisen me fije ari. Oficerët ushtarak dhe burrat me nam kanë mburojë metali sipër dollakëve, e dollakët janë të punuar me një material ngjyrë të kuqe të ndezur. Veshja e sipërme, e cila i mbron nga shiu e bora, është kapota, një gunë e ashpër e leshtë me kapuç për të mbuluar kokën. Bëhet nga shajaku apo përzihet me lesh dhe qimet e flokut të kalit. Edhe veshja e femrave është pothuajse sikurse edhe e burrave, por me një llojllojshmëri më të madhe dhe shpesh me një bukuri të rralë. Më parë folëm për traditën e vajzave greke që veshin pajën me monedha ari në kapele ose shami. Këtë gjë e bëjnë edhe shqiptaret. Flokët i mbajnë të gjata dhe i lëshojnë për shpinde si gërsheta (që në Ks njihen si bistek) të rënda të mbushura me të qendisura.

Sjelljet dhe qëndrimi i tyre; sulmi në beteja.

Personaliteti dhe qendrimi i shqiptarëve të godit mahnitshëm. Janë me trup mesatar. Kanë fytyrë vazake, të ngjajshme me greket e lashtë. Sytë i kanë të zinj dhe të shkëlqyer. Mollëzat e faqeve të larta dhe të spikatura. Qafen e kanë veçanërisht të gjatë dhe gjoksin e madh dhe të plotë. Kanë paraqitje dhe sjellje tejet krenare. Trupin e mbajnë drejt dhe madhërishëm – ecin sikurse të ishin në skenë, me hapa të mëdhënj, trimërisht dhe madhërishëm. Natyra e tyre njerëzore është pothuajse tërësisht greke e lashtë. Shqiptarët kurrë nuk janë sikurse turqit shpirtzinj, të pa fjalë, të vrazhdë dhe njerëz që thurin intriga. Në të kundërten, ata janë të qeshur, të gjallërishëm, me sjellje gazmore, të hapur dhe të hedhur.

Nga natyra janë të pa rehatshëm. Kur ngacmohen nga gëzimi është sikur ushqim mendor për ta, ndërsa rrezikun e kanë si gjella kripën, në çfardo veprimi dhe ndërmarrje. Trimëria, rreziku dhe guximi i burrave është është i egër. Mësymja Suljote, biles edhe sulmi i cubave shqiptarë, është sikur stuhi. Me fillimin e stuhise pak gjërave mund të ju bëjë ballë njeriu. Kjo racë ndoshta nuk është aq e spikatur në vazhdimin e betejes sa është në fillimin e saj – sulmit të egër që ka për synim të marrë betejën si rrufeja. Luftëtarët shqiptarë janë të tillë sa që frengët në malet e lindjes do të çmendeshin nga ta.

Prejardhja dhe ndryshimet që ka pësuar gjuha shqipe

Gjuha shqipe padyshim është shprehje e sotme e gjuhës antike greko-ilire. Ligjërimi thelbësor është po aq i lashtë sa edhe ai i fiseve helene që i ka dhënë njeriun e parë gadishullit grek. Nëse gërmojmë më tutje gjejmë se kjo gjuhe ilire e lashtësisë, aq e rëndomtë, një e folme barbare të cilën helenët e parë e sollën me vete nëpërmjet ishujve duke kaluar detin Egje nga vendlindja e tyre Frigjia. Por, dialekti ilir që flitej në kohën e Lekës së Madh dhe Pirros, në kohën e Filipit të Pestë, pësoi shumë peripeci para se të arrinte zhvillimin e sotëm. Ju desht të ndjej ndikimin e gjuhëve barbare, e më së shumti asaj bullgare. Më vonë u infektua me ndikimet e sllavizmave të veriut. Patjetër se u ndikua edhe nga bashkëbisedimi i përhershëm me racën greke në jug të vendit. Përfundimisht u dominua nga gjuha e turqve otoman.

Zhvillimi i mangët letrar i shqiptarëve

Nga të gjitha këto elemente të huaja, duke mos i përmendur huazimet e rastësishme nga kombet e mëdha të Perëndimit, mori formë shqipja e sotme. Në thelb gjuhë ariane, në veçanti greke e lashtë, ka marrë, pothuajse sikurse edhe gjuha angleze, aq shumë infektime të huaja sa që e kanë bërë gjuhë sui generis edhe në mesin e gjuhëve çuditërisht  të përziera të Evropës Lindore. Gjuha shqipe ende nuk ka shfaqur dhe nuk ka zgjeruar ndikimin e vet në letërsinë e vendit. Brenda këtij shekulli (shekulli 19 v.j.) pak autorë kanë dalur në sipërfaqe, dhe pjesa kryesore e kulturës intelektuale të vendit është asimiluar me greket e sotëm dhe pothuajse të gjithë shkrimtarët mësojnë dhe përdorin gjuhën greke si mjet të shprehjes letrare.Në shkrimet shqipe përdoren të dy alfabetët, ai latin dhe grek, i pari më së shumti përdoret për përktrhimin e librave nga gjuhët e huaja, siç është Bibla dhe libra të tjerë fetar, derisa gjuha e folur në përgjithësi shkruhet me alphabet grek.

Greket dhe shqiptarët përfaqësojnë dy skajet e evolucionit arian

Kështu kemi arritur në pikën nga e cila për herë të parë jemi në gjendje të shohim prapa tërë hapsirën e një ndarjeje të races ariane. Tani mund të themi se greket e sotëm dhe shqiptarët janë bulat e fundit në degën e parë të trungut arian që kemi marrë në shqyrtim. Pyetja e madhe qe ju mbetet historianëve dhe etnologëve për të ju përgjigjur, për sudentët e këtyre dy shkencave të thella, është të vërejnë dhe të gjurmojnë karakteristikat e veçanta të ketyre dy popuj të sotëm që kanë përftuar nga origjina e hershme. Këtë temë mund ta përmbledhim kesisoji: kjo degë e jetës ariane ka zgjatur nga kohët e lashta, nga origjina në malësitë Baktriane në perëndim përgjatë Mesopotamisë, përmes Armenisë deri në Kapadoki dhe Frigji ku edhe mori zhvillimin e parë historic në kohë shumë të lashta. Kështu, disa fise migruese nomade u nisën për në perëndim dhe kaluan Egjeum e Eperm për në Thraki, morën drejtim për në Maqedoni dhe Thesali, dhe vazhduan të përparojnë drejtë Ilirisë dhe Epirit. Ndoshta kjo dyndje e parë i parapriu asaj greke Aeolike të cilët ndoqën të njëjtën udhë për të mbërri në gadishull.

Familja e moqme ilire zuri vend në vendet qe ndodhen në very të Greqisë së sotme. Kjo familje gjatë historisë na dha ngritjen e Maqedonisë. Për një kohë të gjatë ishte nën sundimin romak. Pas disa shekujve u infektua nga barbarizmat veriore. Pas një periudhe të gjatë ju nënshtrua sundimit Turko-Islamik që vinte nga lindja. Pas rënjes së kësaj të fundit raca e lashtë u ringjall, u vu në pah, dhe u shfaq në karakterin e shqiparëve të sotëm.

Njëkohësisht, një process i ngjajshëm kishte ndodhur në Greqi. Ngjarjet etnike në atë vend tashmë i kemi diskutuar. Kështu parashtruam përpara nesh kombin grek dhe shqiptar si ndarja e parë e familjes së moqme Ariane të njerëzimit.

 

 

Të fundit

AH, KJO MITROVICA

(Satirë politike) Kjo Europa plakë n’mes të Mitrovicës Ç’na e la për sherr kambën e Krajlicës, Kush e mbolli mitin kujt i ra ndërmend Bela mes Ballkanit si...

PSE DO TË VOTOJ KUNDËR TEJE ?

Do të votojë kundër teje që nuk e mbajte premtimin. Do të votoj kundër teje se theve besimin. Do të votojë kundër teje se...

Katerdralja e pishtarëve dhe humanistëve kombëtarë

Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nuk është vetëm fetare. Është simbol i kujtesës, i dokumentimit të qenjes sonë kombëtare. Simbol i lashtësisë, zhvillimit, mbijetesës, rilindjes....

Mërgatë e dashur, a jeni gati?

Shkruan: Arbër Paçarizi Mërgatë e dashur, a jeni gati? Nga nesër të gjithë ju që nuk mund të vini në Kosovë mund të aplikoni për tu...

Të tjera nga rubrika

AH, KJO MITROVICA

(Satirë politike) Kjo Europa plakë n’mes të Mitrovicës Ç’na e la për sherr kambën e Krajlicës, Kush e mbolli mitin kujt i ra ndërmend Bela mes Ballkanit si...

PSE DO TË VOTOJ KUNDËR TEJE ?

Do të votojë kundër teje që nuk e mbajte premtimin. Do të votoj kundër teje se theve besimin. Do të votojë kundër teje se...

Katerdralja e pishtarëve dhe humanistëve kombëtarë

Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nuk është vetëm fetare. Është simbol i kujtesës, i dokumentimit të qenjes sonë kombëtare. Simbol i lashtësisë, zhvillimit, mbijetesës, rilindjes....

Mërgatë e dashur, a jeni gati?

Shkruan: Arbër Paçarizi Mërgatë e dashur, a jeni gati? Nga nesër të gjithë ju që nuk mund të vini në Kosovë mund të aplikoni për tu...