13.7 C
Pristina
E premte, 16 Tetor, 2020

Plisi, një histori

Plisi ia jep shkëlqimin paraqitjes së shqiptarit. Në paqe e në luftë. Në zi e në festë.

Është simboli i krenarisë personale e kombëtare. Bartësi i tij, përherë ndien peshën e detyrave shoqërore.

Isak Ademi nga Carraleva e Shtimës ishte vetëm 12 vjeç kur e vendosi plisin për herë të parë. Kurrë më nuk e hoqi.

“E ka mbajtur baba, unë… Prej dymbëdhjetë vjeçe, më nuk e kam hequr kurrë. As në luftë, as në punë, as kurrkund hiç. Nuk e duron diçka kryet mos me pasë në krye, se sikur mos me pasë kryet me vete hiç”, thekson Ademi në qendër të Shtimes.

Është vetëm njëri prej myshterinjve të Hyzri Hysiqit. Veterani i luftës i kthyer në tregtar ia di fort mirë kërkesat.

“Jemi të kënaqur me kualitet të plisit. Jemi të kënaqur, është i mirëpo, gjithmonë nuk mund të dalë njësoj, se varet te leshi se ku e merr qysh e merr. Nëse e kanë leshin e mirë, punohet shumë mirë plisi”, thekson Hysiqi.

Zanati i krenarisë ndër breza

Ka mbi 110 vjet që familja Gjurgjealo nga Prizreni merret me punimin dhe shitjen e plisit. Naxhiu e trashëgoi nga gjysh Jashari e baba Samiu.

“Vështirësia e punës …. është vështirësi, sepse çdo zanat e ka atë vështirësinë e vet”, thekson Naxhi Gjurgjealo, qeleshepunues nga Prizreni.

“Dhe , edhe ky zanat ka vështirësi, por si të punosh, si t’ia nisësh kësaj pune, si të mësohesh me punu këtë, atëherë mund të kesh edhe kënaqësi, jo vetëm vështirësi”.

Punën e kombinuar të dorës e të makinave që me familje e bën poshtë, e ekspozon krenueshëm lart në punishten e tij në hyrje të qytetit historik.

Tregon disa prej llojeve të plisave të trevave të ndryshme shqiptare.

“Këto janë të dibranëve, të Dibrës, domethënë ana e Dibrës, rrethi i Dibrës i ka mbajtur. Këto janë të lumjanëve, ose zhurianëve, se edhe zhurianët i kanë mbajtur. Edhe të Dragashit. Do të thotë këto tri pjesë i mbanin këto”, tregon ai duke mbajtur qeleshet në duar.

“Këto janë të hasjanëve, Hasi zakonisht i ka mbajtur, ndërsa këto janë të Rrafshit të Dukagjinit dhe këndej. Pra, edhe unë saktë nuk e di, por përafërsisht kështu. Këto janë të dervishëve, ju kallzova më duket, të dervishëve”, shton ai. “Dhe ky është punimi i ynë i ardhmërisë që do ta bartin të rinjtë”.

Të huajt për plisin

Etnologu Bashkim Lajçi tregon në objektin e Institutit Albanologjik historinë e simbolit të shqiptarëve.

“Plisi, në kuadrin e veshjeve tona tradicionale, apo popullore, zë një vend të rëndësishëm, edhe për nga funksioni, mirëpo edhe për nga simbolika e tij. Padyshim se edhe plisi, sikur se shumë pjesë tjera të veshjes tonë kombëtare shqiptare, ka një histori të gjatë”, tregon Lajçi në sallën e konferencave shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

“Shumë studiues që janë marrë me problemin e veshjeve tradicionale thonë se plisi e ka gjenezën, apo gjurmët e tij mund t’i hasim qysh në Iliri, tek ilirët, tek paraardhësit tanë. Edhe kjo mund të dëshmohet me shumë figura të ndryshme, me vizatime të ndryshme”.

Këtë thotë se e kanë argumentuar edhe studiuesit joshqiptarë.

“Prapëseprapë plisi, veshjet tona, doket e zakonet, domethënë, janë ruajtur përkundër ndonjë ndërhyrjeje, që është bërë në to, janë ruajtur gjatë gjithë kohës, dhe akoma ruhen”, tregon ai, duke shtuar se njerëzit sot, pavarësisht ambienteve të caktuara, niveleve të caktuara, “mburren me plisin, mburren me veshjen tonë tradicionale, mburren me kulturën tonë, domethënë origjinale tradicionale që e kemi”.

Ergylenagji Gjurgjealo ndihet më rehat kur me plis në kokë flet para kamerës.

“Unë çdoherë e mbaj plisin. Gati çdo foto e kam me plisin. Është puna ime, krenohem që e bëj këtë punë, është simboli i kombit tonë, kështu që me dalë para jush pa plis, diqysh zbrazët më mbetet koka”, tregon ajo.

“Plisat” si rezistencë

Por, historia jo fort e largët tregon se shqiptarët që mbanin plisa, keqtrajtoheshin edhe më shumë nga pushtuesit. Sidomos gjatë shekullit njëzet.

Në librin e Enver Robellit “Arbën Xhaferi rrëfen: Në Tetovë në kërkim të kuptimit”, politikani e publicisti i ndjerë nga Maqedonia e Veriut kujtonte se si gjatë luftërave ballkanike, kur Shkupi ishte pushtuar nga bullgarët fqinj, pushtuesit si objekt dënimi zgjodhën qeleshen e bardhë shqiptare.

“Ata, xhandarë e qytetarë, ku shihnin shqiptarë me qeleshe të bardha i rrihnin, i torturonin, madje edhe i vrisnin”, shkruan në librin e Robellit.

Historiani Skender Latifi ka siguruar dokumentin e vitit 1917 të komandës së trupave rezervë në Nish. Aty dokumentohet refuzimi i shqiptarëve të rekrutuar dhunshëm:

E pushtuesit serbë nuk do ta zbusnin qëndrimin ndaj fëmijëve shqiptarëve që plisin e mbanin edhe në shkollë.

Plisi përherë ishte e përbashkëta e burrave dhe e grave që luftonin për liri.

“Më vonë, sidomos gjatë viteve tetëdhjetë, atëherë kur ndodhën demonstratat tek ne, por edhe gjatë kohës, njerëzit që e kanë bartur plisin, disi nga të tjerët, veçmas nga ata okupatorët, ose ata që kanë synuar të na okupojnë, janë shikuar si njerëz të padëshirueshëm”, thekson Lajçi.

Atëherë Prishtina po garonte në elitën e futbollit jugosllav. Për shqiptarët e Jugosllavisë së lëkundur, lojtarët ishin heronj në fushë. Në tribuna, tifozët themeluan Plisat. Dy palët përfaqësonin krejt shqiptarët e ish-Jugosllavisë së dominuar nga Serbia.

Plisat vazhdojnë ta mbështesin vetëm kombëtaren shqiptare edhe pas pranimit të Kosovës së pavarur në UEFA e FIFA.

Plisi i Republikës së parë

Plisi ka lënë gjurmë edhe në historinë. Nënshkruesi i asaj që njihet si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit 1990 ishte edhe deputeti nga Cerreviku i Klinës, Hysen Bashota.

Vetëm Shqipëria ia njohu Kosovës Republikën e parë.

Pavarësimi i vendit më 17 shkurt 2008 fuqizoi lidhjen e pleqve e të rinjve me plisin. Ditët e plisit janë kthyer në festë tradicionale në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Ergylenagjiiut po i bëhet qejfi që përherë e më po ngrihet shumë numri i vajzave e djemve që i kërkojnë plisa për kanagjeqe e dasma, bajram e krishtlindje.

Është simboli që i bashkon shqiptarët kudo.

“Ky është simbol i shqiptarit”, thekson Ademi në Shtime, duke prekur lëmueshëm plisin me dorën e djathtë. “Këtë, nuk është… çare këtë pa e bartur nuk ka ai që e ka zemrën e shqiptarit”.

Të fundit

Plisi, një histori

Plisi ia jep shkëlqimin paraqitjes së shqiptarit. Në paqe e në luftë. Në zi e në festë. Është simboli i krenarisë personale e kombëtare. Bartësi...

Hapave – Selajdin Gashi

Hapave Të tu gjithnjë kam ecur Ku shputat tua linin gjurmo I sigurtë shkelja me nxitim Koha të mos na ikën; të na vijo pas Fjala jote e buto,...

Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj 3 të parët të arrestuar nga Specialja

Gjykata Speciale ka nisur arrestimet në Kosovë. Ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa është personi i parë i arrestuar nga Specialja. Ai u arrestua ditën...

Flet Shkurte Fejza: Është ndezur drita e kuqe për muzikën popullore, po luftohet pamëshirshëm nga diankë dhe injorantë

Emri dhe zëri i saj është i njohur në gjithë shqiptarinë. Me të drejtë quhet bilbili i këngës shqipe. Me zërin e saj dhe...

Të tjera nga rubrika

Plisi, një histori

Plisi ia jep shkëlqimin paraqitjes së shqiptarit. Në paqe e në luftë. Në zi e në festë. Është simboli i krenarisë personale e kombëtare. Bartësi...

Hapave – Selajdin Gashi

Hapave Të tu gjithnjë kam ecur Ku shputat tua linin gjurmo I sigurtë shkelja me nxitim Koha të mos na ikën; të na vijo pas Fjala jote e buto,...

Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj 3 të parët të arrestuar nga Specialja

Gjykata Speciale ka nisur arrestimet në Kosovë. Ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa është personi i parë i arrestuar nga Specialja. Ai u arrestua ditën...

Flet Shkurte Fejza: Është ndezur drita e kuqe për muzikën popullore, po luftohet pamëshirshëm nga diankë dhe injorantë

Emri dhe zëri i saj është i njohur në gjithë shqiptarinë. Me të drejtë quhet bilbili i këngës shqipe. Me zërin e saj dhe...